Monday, January 7, 2013

Tronditet YouTube, miliarda klikime të rreme!

Kompani të mëdha regjistrimi të CD-ve kanë humbur më shumë se dy miliardë klikime në YouTube, pasi sajti i famshëm u godit nga klikimet e rreme. Goditja më e madhe i është dhënë shtëpisë diskografike Universal, njëkohësisht producentë të Rihannas, Nicki Minaj dhe Justin Bieber, e cila ka humbur më shumë se një miliard shikime, nga një total prej shtatë miliardësh.
Kompania Sony vjen e dyta, e cila po ashtu menaxhon personazhe shumë të njohura të muzikës, Alice Keyes, Rita Ora, Labirinth, etj. Kompania ka humbur më shumë se 850 milion klikime në një ditë të vetme.
Youtube ka shërbyer gjithmonë si një tregues i suksesit të këngëtarëve, edhe pse jo zyrtarisht. Po ashtu, numri i klikimeve ka shërbyer për ndarjen e të ardhurave të reklamave nga partnerët. Tashmë duket se është kërcënuar seriozisht besueshmëria e artistëve dhe klikimet që ato kanë në videot e tyre.
Rënia dramatike erdhi pas një auditimi të brendshëm të bërë nga YouTube, në një përpjekje për të luftuar pikërisht klikimet e rreme, njofton Panorama.
Hakersat kanë krijuar në mënyrë artificiale një numër të caktuar klikimesh ose “e pëlqej” në Youtube, duke bërë që video të caktuara të duken sikur janë më popullore se në të vërtetë, duke rritur kështu edhe ekspozimin e tyre në rrjet.
Shumë prej kanaleve të prekura përfshijnë edhe ato të Michael Jackson, Chris Brown, Beyonce, yllit të X-Factor, Leona Lewis apo edhe vetë kanalin e producentit të X- Factor, Simon Cowell, i cili humbi vetëm në një ditë më shumë se 24 milionë klikime.

comments